Tuesday, June 3, 2008

RADIJE HOXHA -DIJA - Poezi-



RADIJE HOXHA - DIJA


GJENIU PLEQNON ÇMENDINE TIME...


Sot
Gjeniu i Nexhmije Pagarushës
e zuri në flagrance çmëndinë time.
Ia mbylli veshët me kufje
e uli para ekranit të kompiuterit
dhe në mikrofon i tha:
-Ja kjo është ekspozita e parë
e organeve të tua të brëndëshme.
kerko!
Kurrë më parë nuk e kisha ditur
se vezori im i majtë
është vepër e Mahmud Farshianit.
Enter!
Arabeska e trurit : Esher, 24.09.1961.
kerko!
Kurrizi mban unazën.
Valon Flamuri japonez.
Spondiloza fejohet me Guernikën.
Enter!
Lukthi deshifron grafologjitë e zemrës
që jeton me honorare( sot për sot).
kërko!
Kerkoj prerjen e qindfishte te qelizes model
-kreacioni i fundit
kerkoj shpirtin universal në anglisht
dhe në gjuhët e tjera të botës.
Error!
Sot,
me 3 korrik 2004
gjeniu i Nexhmije Pagarushës
pleqnoi çmendine time
dhe kompiuteri e pranoi gabimin!


KRIMI I DASHURISË

më la apo e lashë
Sidoqoftë...
Eja t'a gjykojmë këtë krim
Kemi avokatë të fortë
Gjykatësi e njeh ligjin mirë
Nuk na burgos dot pa dëshirë

Maj 1997 Shkup


ÇMIMI I DASHURISË

Dashuria jonë doli në treg
të shitet për pesë para
E kërkuan shkencëtarët, gjyqtarët, barbarët...
Kishte shume blerës,
aq shumë
sa u pendova:
Pse nuk ja ngrita çmimin qe ne fillim?

Mars 1997 Shkup


* * *
Shkove
dhe gjaku në deje m'u ngri.

Pse kur flas për dashurinë e shkuar
nuk
nisem nga Ti?


IN MEMORIAM

Në këtë qytet të vdekur
ku më as engjëjt s'janë të ndershëm
vargu im për incest
U dënua me burgim të përjetshëm

Shkup-Teheran 26 janar 2000


NDARJE NË LINDJE

Ç'të marr me vete kur të shkoj
ma jep jetën shpirt
buzët, sytë
heshtjen tënde të marrë...
o Zot
po shkoj në lindje për t'u ndarë!...


SKULPTORI IM

Çdo ditë më bren ngapak
MikelEngjulli im
nga vetja ime më ndan
Kërkon Dijen qe Mosdijes i ngjanë?


T' A TREMBIM VDEKJEN BASHKË

Mosha jote ka frikë
Do ta përzë vdekjen jashtë
As unë pa ty
S'mund të mbyll sy
Po s'e trembëm bashkë...


NË KOPËSHTIN TËND

Ah, sa me qejf do të vija tek ty
Të ngjitem pak në degët e tua
Të këpus një mollë, një ftua, një qershi
Pa më parë e sharë asnjeri.

Si fantazëm t'u përvidhem rojeve të natës
Nga vrimat e dyerve të përgjuara
Si një i verbër që prek gjëra të ndaluara
Të digjem me gjellën e shijshme të darkës.

Dhe s'druaj nëse më kapin rojet e natës
Gjithë xhandarët, femrat e policia
Po kam frikë se frutat me dalin të thartë
e pas tyre më kap uria!

Teheran, dhjetor 1999


FALL NË DIVAN

Gratë në Persi
çelin fall me Hafizin
e unë
me Vehbi Skenderin.

Sonte
në Mejdane Nur
do të luaj symbyllas
me terrin.

Gratë
në "Divan"
e ne
"Bëjmë sikur"
Jemi a s'jemi të lumtur?

Sa më larg njëri-tjetrit
Jemi aq më të lumtur
Jemi shumë të bukur!

nga "Gjeniu pleqnon çmendinë time" , RADIJE HOXHA - DIJA,
Asdreni, Shkup 2005



1 comment:

Unknown said...

Me pelqeu shume faqja jote. Te fala shume nga Portugalia.